JUSTICE INITIATIVE KOSOVA ka për qëllim përmirësimin e jetës dhe mbrojtjen më efikase të fëmijëve nga abuzimet përmes përmirësimit të politikave dhe ngritjes së kapaciteteve institucionale. Ky qëllim synohet të arritet përmes avokimit te institucionet relevante përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve.
JUSTICE INITIATIVE KOSOVA është krijuar si nëndegë e JUSTICE INITIATIVE EUROPE. Në Kosovë, qendra JUSTICE INITIATIVE KOSOVA bashkëpunon ngushtë me INITIATIVE FOR JUSTICE AND EQUALITY / INICIATIVA PËR DREJTËSI DHE BARAZI INJECT.
Historiku
Misioni ynë: Rivendosja e drejtësisë për viktimat e abuzimit në Evropë
Vlerat mbi të cilat Evropa është e themeluar janë respektimi i dinjitetit njerëzor, liria dhe barazia, sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave të njeriut.
Këto vlera thelbësore të Evropës nuk janë zbatuar për qindra mijëra fëmijë dhe të rinj në Evropë dhe të drejtat e tyre dhe dinjiteti njerëzor janë shkelur rëndë në të kaluarën. Këto shkelje kanë ndodhur në mënyra të ndryshme, veçanërisht në formën e abuzimit seksual të fëmijëve, përmes keqtrajtimit veçanërisht në institucione dhe adoptimeve të detyruara.
Dhjetëra mijëra viktima të asaj kohe jetojnë mes nesh. Edhe sot e kësaj dite, këto viktima vuajnë nga padrejtësia dhe pasojat e abuzimit që u janë bërë. Shumë prej tyre janë të rënduar psikologjikisht dhe jetojnë në varfëri për shkak të përjetimit të dhunës. Në disa vende të Evropës, janë bërë përpjekje për të shëruar vuajtjet. Në shumicën e shtetëve, një ballafaqim serioz me abuzimin nuk ka ndodhur deri më sot. Kjo gjendje është e papranueshme për Evropën si një komunitet vlerash dhe duhet korrigjuar tani. Viktimave duhet të ju ofrohet drejtësi gjatë jetës së tyre.
Historia e nismës sonë politike
Abuzimi i fëmijëve dhe mungesa e rivlerësimit historik është një problem mbarë-evropian. Në këtë kontekst, Zvicra është një shembull kur bëhet fjalë për ballafaqimin më të kaluarën, sepse aty filloi i gjithë angazhimi që më vonë ndikoi në krijimin e JUSTICE INITIATIVE EUROPE. Iniciator i nismës ishte Guido Fluri, një sipërmarrës i famshëm zvicëran, i cili vetë kishte kaluar fëmijërinë në familje strehuese. Historia e tij personale e ka formësuar punën e tij humanitare dhe politike. Në vitin 2010 ai filloi një projekt për të rivlerësuar shtëpitë strehuese të fëmijëve zvicëranë, ndërsa në vitin 2014 filloi iniciativën qytetare për fëmijët në strehim, gjatë së cilës u mblodhën 100’000 nënshkrime dhe e cila rezultoi në vitin 2016 me miratimin e iniciativës në parlamentin evropian. Kjo iniciativë mundësoi që rreth 12’000 viktima, tani në moshë të rritur, por që gjatë fëmijërisë ishin abuzuar nga institucionet, të merrnin dëmshpërblim për dëmet e abuzimeve ndaj tyre. Shteti zvicëran prej atëherë është duke e trajtuar çështjen nën katër pikat 1. E vërteta e abuzimeve ndaj fëmijëve, 2. Njohja zyrtare e abuzimeve, 3. Riparimi dhe 4. Parandalimi.
Procesi zviceran i rivlerësimit të abuzimeve ndaj fëmijëve u përcoll me shumë interes nga shtetet fqinje. Sado të ndryshme dhe specifike që janë rastet e abuzimit në vendet individuale, njerëzit nga shumë vende të tjera evropiane janë të ndikuar nga shkelje të ngjashme të të drejtave të njeriut. Përvoja pozitive zvicerane synon të mbështesë vendet e tjera evropiane që janë duke hyrë në procesin e pajtimit me të kaluarën ose janë tashmë në këtë rrugë. Guido Fluri, president i fondacionit me të njëjtin emër, i cili i kushtohet mbrojtjes së fëmijëve, sërish do të mbështesë nismën politike evropiane, siç ka bërë tashmë në Zvicër.
Një simpozium ndërkombëtar në Bernë ishte hapi i parë në këtë drejtim. Situata në vende të ndryshme evropiane u shqyrtua, dhe përfaqësuesit e Zyrës Federale të Drejtësisë, ndër të tjera, treguan se si Zvicra ka zbatuar procesin e llogaridhënies me të kaluarën e saj dhe se si projektet e synuara të vetë-ndihmës po ndihmojnë të mbijetuarit dhe viktimat, përtej zgjidhjeve ligjore. Në simpozium morën pjesë ekspertë ndërkombëtarë, persona të prekur dhe organizata që i përfaqësojnë ata, përfaqësues të mediave nga Zvicra dhe jashtë saj. Me rastin e këtij simpoziumi, pjesëmarrësit vendosën të nisin një mocion në Këshillin e Evropës, i cili për synim ka angazhimin e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës për një hetim gjithëpërfshirës në shtetet evropiane në lidhje me historitë e abuzimit ndaj fëmijëve. Mocioni është dorëzuar në Këshillin e Evropës në vjeshtën e vitit 2021.

Në muajt e fundit janë mbledhur portrete prej afërsisht 100 viktimave të abuzimit me fëmijë nga e gjithë Evropa. Asnjëherë nuk është shtjelluar dimesioni i problemit në këtë mënyrë. Fotografi dhe video të gazetarës fituese të çmimeve të gazetarisë Simone Padovani që dokumentojnë padrejtësitë po i japin zë tani viktimave. Ekspozita “Turp – Histori Evropiane” është një ekspozitë në udhëtim dhe do të shfaqet në disa vende të ndryshme në Evropë. Qendra Justice Initiative Kosova është krenare që është pjesë e këtij projekti. Histori të ndryshme nga Kosova janë të përfaqësuara në ekspozitë.



SITUATA NË KOSOVË
Kosova është shtet i ri që shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008. Që nga lufta e vitit 1999, Kosova po kalon një tranzicion nga një shtet i përfshirë në konflikt në një demokraci të re. Popullsia e Kosovës është afërsisht 1.8 milionë. Shqiptarët e Kosovës janë grupi më i madh etnik (92%). Në Kosovë jetojnë edhe serbët e Kosovës (4%) dhe pakicat tjera si boshnjakët, turqit, goranët, romët, ashkalitë dhe egjiptianët (4%).
Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, më një moshë mesatare 29.5 vjet; 31% janë fëmijë (0-18), por për shkak të qeverisjes së dobët, ka mungesë të mundësive për punësim, angazhim të kufizuar të të rinjve në jetën shoqërore dhe politike, shërbime jo-adekuate mbështetëse dhe një sistem arsimor që ende ka nevojë për përmirësim.
Kosova është gjithashtu një nga vendet më të varfra në Evropë, me një GDP për frymë prej 3,877 USD (2017). Vlerësohet se 23% e fëmijëve jetojnë në varfëri dhe 7% në varfëri ekstreme. Varfëria pengon përmbushjen e të drejtave të fëmijëve dhe çon në punën e fëmijëve dhe martesat e hershme të fëmijëve. Diskriminimi gjinor dhe dhuna ndaj grave dhe fëmijëve mbeten të përhapura.